Teknologji

Erdogan kryen vozitjen e parë testuese të veturës turke TOGG

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pranë veturës së parë turke, TOGG

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në provincën turke të Kocaelit kreu një provë të prototipit të fundit të makinës së parë turke, TOGG.

“Shpresojmë të kemi hapjen zyrtare të fabrikës TOGG në Gemlik më 29 tetor”, tha Erdogan në ceremoni.

Ai vuri në dukje se makina TOGG do të jetë në rrugët në Turqinë tremujorin e parë të vitit 2023, raporton Al Jazeera Balkans.

“Ne do ta vëmë makinën turke në dispozicion të popullit tonë dhe pjesës tjetër të botës, pavarësisht atyre që thonë: ‘Nuk mund ta bësh, nuk mund ta prodhosh’”, shtoi Erdogan.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duke testuar veturën e parë turke, TOGG

Njëqind për qind turke

Menaxhmenti i grupit TOGG, i themeluar në vitin 2018, prezantoi prototipin e parë të një automjeti elektrik në vend në dhjetor 2019.

TOGG synon të prodhojë një milion automjete në pesë klasa të ndryshme deri në vitin 2030.

Në janar, makina e parë turke TOGG u ekspozua në panairin më të madh në botë të elektronikës së konsumit “CES 2022” në Las Vegas.

Menaxhmenti i TOGG njoftoi se koncepti i makinës së parë autoktone turke u lançua për të krijuar një markë globale, prona intelektuale dhe industriale e së cilës i përket 100 për qind të Turqisë./Shqip.com