Lajme

Erdogan i kërkon Putinit të lejojë dërgimin e ndihmave në Siri

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan & Presidentit rus, Vladimir Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën, më 11 korrik, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të zgjerojë autorizimin për kalimin e kufirit për dërgesat humanitare brenda Sirisë.

Kjo kërkesë e Erdoganit vjen teksa diplomatët po tentojnë që të gjejnë zgjidhje që do të mund të shmangte veton ruse dhe do të mundësonte vazhdimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Siri.

“Erdogan theksoi se ai i kushton rëndësi të madhe zgjerimit të mekanizimit për kalimin e kufirit në Siri”, tha zyra e tij përmes një deklarate, pas bisedës telefonike midis liderëve.

Kjo bisedë vjen pasi të dielën ka skaduar mekanizmi që lejon dërgimin e ndihmave humanitare në Sirinë e shkatërruar nga lufta, raporton Radio Evropa e Lirë.

Një javë më parë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se do të ndërprejë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, në të njëjtën ditë kur Damasku njohu legjitimitetin e dy rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në zonën e Donbasit të Ukrainës.

Moska ka mbështetur luftëtarët separatistë në Donbas, për vite me radhë me shpresën për të kapur këtë pjesë të rëndësishme të Ukrainës.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, e ka bërë të qartë mbështetjen e tij për liderin rus Vladimir Putin.

Në shkurt, Assad tha se pushtimi i Ukrainës ishte i nevojshëm për të korrigjuar gabimet historike dhe imazhet satelitore dukej se tregonin anijet me flamurin rus që transportonin grurë të vjedhur ukrainas në Siri./Shqip.com