ERC Trade vendos jashtëligjshëm reklama në autostradë, pronari e pranon por vazhdon ta bëjë
Sikurse për ndërhyrjen në autostradë, pronari i kompanisë ERC Trade – Belux, Arben Arifi, nuk është i pajisur me leje as për vendosjen e reklamave, gjë të cilën e ka pranuar vetë ai.
Mirëpo, ndryshe nga rasti i parë, Njësia e Hetimeve të Policisë në Prishtinë, për vendosjen e reklamave kishte bërë kallëzim penal ndaj Arifit për vetgjyqësi.
Siç bëhet e ditur në emisionin hulumtues ‘N’Shënjestër’ të Shqip.com, ky kallëzim penal ishte hedhur poshtë nga prokurorja e shtetit – Jehona Grantolli.
Arsyetimi ishte se “në veprimet e të pandehurit nuk përmbushen elementet e veprës penale”.
Arifi edhe në deklarimin e dhënë në prokurori, pranon se ka ndërhyrë në brezin e autostradës, por arsyetohej se nuk e kishte ditur se duhej të bëhej kërkesë në Ministri të Infrastrukturës, ndërsa sot këtë ndërhyrje e bën me vetëdije të plotë.
Zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi thotë se Inspektoriati ka thënë se reklamat janë larguar.
“Sipas informatave nga Inspektoriati më kanë thënë se janë hequr reklamat nga aty”, thotë ai.
Vendosja e reklamave në autostradë ku shpejtësia zhvillohet 100 kilometra në orë e tutje, janë të ndaluara me udhëzim administrativ, pasi zhvendosin vëmendjen e vozitësit.
Kështu thotë eksperti i çështjeve të komunikacionit, Nol Deda, derisa ka folur për rrezikshmëritë që mund t’i hasin shoferët në një rast të tillë.
“Drejtuesi i automjetit me një shpejtësi të madhe si kjo, nuk guxon ta humbë përqendrimin ndaj vozitjes”, thotë Deda.
Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu: