Lajme

Enver Hoxhaj: Po tentohet të krijohet një bllok kundër Kosovës në Ballkan. Në 24 shtator u synua aneksimi i veriut të Kosovës!

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaron se në rajonin e Ballkanit po krijohen qeveri të reja të cilat janë kundër Kosovës.

Përpjekja e Serbisë në veri të Kosovës, tha Hoxhaj në emisionin 3D me gazetarin Alban Dudushi, ka patur për qëllim krijimin e një lufte hibride për të dëmtuar Prishtinën në sytë e ndërkombëtarëve.

Ka patur qëndrim edhe publike të diplomatëve më të mëdhenj amerikanë dhe europianë në Prishtinë të cilët kanë thënë se për shkak të moszbatimit të marrëveshjes së Brukselit, të planit të Ohrit ka ndodhur ajo që ndodhi në veri të vendit. Sikur marrëveshja të zbatohej, nuk do të ndodhte. Por përtej kësaj, unë mendoj që duhet ta kem një kuptim më të thellë. Serbia në dy vitet e fundit ka ndjekur një luftë hibride në raport me Kosovën. Lufta hibride në raport me veriun ka qenë kjo, përmes situatës në veri Serbia ka dashur t’i bindë partnerët perëndimorë që ata nuk duhet t’i besojnë Kosovës”, u shpreh ai.

Shqetësuese, Hoxhaj sheh humbjen e besimit të ndërkombëtarëve te qeveria e Kosovës dhe pikërisht Serbia është investuar në këtë drejtim.

Beogradi, tha Hoxhaj, synon të krijojë në optikën e ndërkombëtarëve qëndrimin sikur Kosova nuk është në gjendje të shtrijë sundimin e ligjit te 4 komunat me shumicë serbe.

Dhe në pikëpamjen time, prej dëmit më të madh që është bërë gjatë dy viteve të fundit është humbja e besimit të perëndimit në qeverinë e Kosovës dhe nëse ka nervozë nganjëherë në Tiranë te kryeministri Rama dhe të tjerët është që ai e dëgjon këtë çdo ditë, siç e dëgjon Milaimi, e dëgjoni ju, e dëgjoj edhe unë. Dhe kjo ka qenë pjesë e luftës hibride që perëndimi ta humbë besimin te Kosova që përmes situatës në veri të vendit i Serbia t’i tregojë botës që Kosova nuk mund ta qeverisë, ta kontrollojë, ta ushtrojë autoritetin e saj në ato 4 komuna në veri të vendit”, tha ai.

Për Enver Hoxhajn, 24 shtatori ishte një përpjekje e Serbisë përmes një grupi terrorist për të aneksuar veriun e Kosovës. E njëjta situatë tha ai u tentua dhe në Malin e Zi, para anëtarësimit në NATO, kur u synua një pucc ndaj qeverisë së Gjukanoviç.

24 shtatori ka qenë vetëm pjesa e fundit e asaj çfarë është luftë hibride duke dërguar një komandë terroriste për të bërë aneksimin e veriut të Kosovës, siç bënë përpjekje para disa vitesh të bënin puç në Malin e Zi para anëtarësimit në NATO. Unë kam takuar Milo Gjukanoviç 4 ditë pasi ka ndodhur përpjekja për puç në Malin e Zi dhe kanë qenë serbë të Kosovës të përfshirë në këtë ngjarje”, tha Enver Hoxhaj.

Duke komentuar qeverinë e re të Malit të Zi pjesë e të cilës do të jetë edhe një parti pro-ruse gjë e cila është kundërshtuar edhe nga SHBA-BE, Hoxhaj theksoi se në rajonin e Ballkanit mund të krijohet një qasje kundër Kosovës.

Unë nuk e di se çfarë keni diskutuar me mikun tim Nik Gjeloshin dhe nuk di se çfarë qëndrimi ka mbajtur Nika. Por shqetësimi kryesor që ne kemi aktualisht është që në Ballkan mund të krijohet një bllok anti-Kosovë, mund të krijohen qeveri të reja, formula të reja qeverisëse të cilat janë anti-Kosovë. Prandaj dhe përpjekjen e shqiptarëve të Malit të Zi e shoh kyçe”, deklaroi ndër të tjera, Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës.

/Shqip.com