Eni Sejdinaj dhe ‘pelivani’ i saj Armando Skarra kërdinë në hipotekë, korrupsion, tjetërsim pronash, pazare dhe pastrim parash. Si i shpëtoi SPAK-ut dhe kush ia mbylli dosjen në Prokurorinë e Tiranës ‘fluturës’ ASHK-së?
Disa ditë më parë, pas përplasjes së dy biznesmenëve për një pronë në Dhërmi, kryeministri Edi Rama tha gjatë një mbledhje me të besuarit e tij të ngushtë se hipoteka, një nga degëzimet më të rëndësishme, të denoncuar dhe të korruptuar të qeverisjes, kontrollohej nga krimi. Deklarata kapitulluese e Ramës vjen pas 13 vitesh reformash, nismash, ndryshimesh, platfomash, bashkimesh, ndarjesh, premtimesh etj., për të ‘shëruar’ Hipotekën.
Pas 13 viteve në pushtet, korrupsioni në hipoteka vetëm sa është strukturuar, janë rritur, shtuar dhe detajuar tarifat e korrupsionit, ndërsa ky institucion shtetëror është kriminalizuar plotësisht. Shefat e degëve të hipotekave deri tek specialistët janë kryesisht emërime të sponsorizuara të krimit të organizuar, të grupeve kriminale që ka goditur SPAK-u, të oligarkëve, ish ministrave dhe disa deputetëve. Kupola vepron nën urdhërat e këtyre faktorëve për të kopsitur dosje legalizimesh për llogari të tyre, ndërsa për dosjet e tjera zbaton tarifat e korrupsionit.
Një sagë denoncimesh dhe sinjalizimesh e vizatojnë një dyshe si një nga shembujt më ilustrues të bartërdisë në hipotekë. Bëhet fjalë Eni Sejdinaj, drejtoreshë e Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Tiranë Rurale 2, pjesë e një dosje të SPAK për tjetërsim pronash, korrupsion dhe shpërdorim detyre, si dhe për ‘pelivanin’ e saj, Armando Skarra, i cili operon kryesisht në kopsitjen e letrave për punët dhe porositë e Sejdinajt.
Si i shpëtoi arrestimit dhe rikthimi
Eni Sejdinaj, investim një linje korrupsioni dhe klani kriminal në Hipotekën e Tiranës, i shpëtoi në vitin 2021 arrestimit nga SPAK, në kuadër të hetimeve për një grup prej 17 personash, të akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe tjetërsim pronash. Në vitin 2022 SPAK mbylli hetimet dhe çoi të pandehurit për gjykim në GJKKO. Sejdinaj u larguar përkohësisht nga posti për të ‘sistemuar’ çështjen e saj.
Meqenëse SPAK-u nuk ngriti akuzë për grup kriminal dhe Sejdinaj akuzohej vetëm për shpërdorim detyre, çështja e saj u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Ajo, me ndërhyrjen e klanit kriminalo-korruptiv që e superton, mësohet se e mbylli çështjen me lehtësi, ndoshta me tarifën e një legalizimi në hapësira publike me ‘delfinin’ e saj, Armando Skarra.
Në vend të saj, në krye të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Tiranë Rurale 2, ishte vendosur rrufjani i pronave Eris Shehu, ish-drejtor i ASHK Fier. Shehu bëri disa ‘goditje të mëdha’ në bashkëpunim me Lorenën, me tjetërsime dhe legalizime të paligjshme, por duket se e mbylli kapitullin kur u arrestua për tjetërsim pronash në Seman, kur drejtonte Kadastrën e Fierit, për llogari të një figure të krimit të organizuar në Fier.
Stafetën e Shehut e mori para arrestimit të tij sërish Eni Sejdinaj, e cila përmes ‘xholit’ të saj finalizoi legalizimin e objekteve dhe bizneseve në prona dhe hapësira publike kundrejt pagesës, tjetërsim pronash, legalizimin e ndërtimeve jashtë çdo afati ligjor dhe në shkelje flagrante të ligjit për legalizimet, legalizime me dokumente të falsifikuara, manipulime, refuzim zvatimi të vendimeve të formës së prerë, zhvendosje dhe dallavere të tjerat me pronat.
Disa institucione ligjzbatuese janë sinjalizuar për praktikat e paligjshme dhe episodet korruptive të dyshes Sejdinaj-Skarraj, por përpos SPAK-ut dhe BKH-së, asnjë institucion tjetër nuk lëviz përballë paligjshmërive. Sipas burimeve, ‘flutura’ e ASHK-së dhe ‘pelivani’ i saj janë pjesë e një tjetër hetimi të SPAK për korrupsion, tjetërsim pronash, grup kriminal dhe pastrim parash, hetim i cili pritet të finalizohet me arrestime masive.
Tarifat e korrupsionit
Nëse më parë aplikoheshin tarifa e korrupsionit për çdo veprim normal administrastiv për legalizim prone, muajt e fundit është vendosur edhe një tarifë e pazakontë, konkretisht për shërbimin e lëshimit të faturës për tarifat në Hipotekë. Tarifa standarde për një legalizim prone është nga 5 deri në 15 mijë euro, ndërsa për troje dhe toke me përparësi rreth Tiranës dhe bregdet është 50 deri në 200 mijë euro për parcelë.
Për një regjistrim prone tarifa e korrupsionit është 2 deri në 5 mijë euro. Edhe për të marrë certifikatën e pronësisë tarifa e korrupsionit është 2-3 mijë euro. Për të marrë lejen e legalizimit për zonat me prioritet tarifa e korrupsionit është 5 deri në 15 mijë euro. Për çdo veprim administrativ në kuadër të plotësimit të dosjes tarifa e korrupsionit është 1 deri në 2 mijë euro. Edhe për të prerë një faturë, siç e theksuam më lart, ka tarifë korrupsioni, e cila varion nga 200 deri në 300 euro.
Prona për vete
Batërdia tek hipotekat nuk është abstrakte apo një virus i padukshëm, por ka emra konkretë. Njerëzit kyç në hipoteka nuk kanë fjetur gjumë, kanë punuar natë e ditë, jo për qytetarët, por për veten e tyre, duke kopsitur letrat për të kaluar prona publike dhe private në emrin e vet dhe në emrin e familjarëve të tyre. Krahas tarifave të pashpallura të korrupsionit për një të drejtë që u takon qytetarëve, ‘ujqërit’ e hipotekave janë kthyer në bejlerë të pronave nga Tirana në bregdet, duke tjetërsuar dhe përvetësuar prona.
©Shqip.com