Lajme

Emërimi i zëvendësuesit të Palmerit po shihet si përparësi

Matthew Palmer - Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që pritet të emërohet në këtë post më 7 shtator, vlerësohet si një i emëruar që e njeh mirë rajonin, gjë kjo që do të jetë përparësi, transmeton Shqip.com.

Kështu thotë profesori Dritëro Arifi, i cili shton se pritjet e tij nga zëvendës-ambasadori i SHBA-së në Serbi, sa u përket çështjeve që e prekin Kosovën, siç është dialogu me Serbinë, nuk janë të mëdha, pasi sipas tij, Escobar nuk do të jetë i emëruar vetëm për çështjen e Kosovës, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai thotë se përmirësimi i raporteve BE-SHBA, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është ndër të arriturat e të dërguarit të deritashëm amerikan, Matthew Palmer.

“Pasi që pati ndryshim në Shtëpinë e Bardhë, atëherë z. Palmer së bashku me z.Lajçak, përfaqësuesin e lartë të BE-së, e arritën një bashkëpunim i cili nuk ka ekzistuar në ish-administratën e Trumpit”, ka thënë Arifi, raporton Koha.

Me çështjet e Ballkanit Perëndimor nga java tjetër do të merret zëvendësambasadori i SHBA-së në Serbi, Gabriel Escobar. Më 7 shtator ai pritet ta zëvendësojë të dërguarin e deritanishëm të Departamentit amerikan, Matthew Palmer. /Shqip.com