Lajme

Emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë, reagon Grenell

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka përshëndetur emërimin e Jeffrey Hovenier si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Urime Jeff”, ka shkruar shkurt Grenell në Twitter, të premten.

Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Këtë zyrtarisht e ka konfirmuar Senati amerikan.

Hovenier është nominuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në korrik të këtij viti – si pasuesi i ambasadorit aktual të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Lidhjen e ngushtë me Kosovën, Hovenier e kishte konfirmuar në vitin 2018, kur ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Jeffrey Hovenier dhe ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur ai.

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore./SHQIP.com