Kulturë

Elsa Lila vjen me recitalin e parë të saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, njofton recitalin e parë të këngëtares së njohur, Elsa Lila.

“Finalmente Elsa”, koncerti i parë recital i Elsa Lilës më 1 Nëntor në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë www.vivere.al.”, shkruan Rama.

Në Pallatin e Kongreseve, po bëhen përgatitjet e fundit për koncertin e 1 nëntorit, ku Elsa Lila, e shoqëruar nga një bandë muzikore italiane do të performojë për të gjithë ata që janë rritur me këngët e saj, nga “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” e deri te “Evita”, kënga kushtuar vajzës, me të cilën mori pjesë vitin e shkuar në Festivalin e Këngës.

Vetë artistja e njohur, fituese disa e herë e Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, shkruan në rrjetet sociale emocionet për zhvillimin e këtij koncerti të parë recital.

“Ika me shijen e suksesit të “Evitës” sime në festival, për t’u rikthyer në Tiranë, tani në nëntor. Këtë herë, për herë të parë me një koncert të madh, aty në skenën e Pallatit të Kongreseve, nga ku nisi jeta ime artistike”, shkruan Elsa Lila.

“Finalmente Elsa” i thotë të gjitha: kohën e gjatë që kam pritur, për të ardhur ky moment; punën e madhe që kam bërë deri më sot, për t’u ndier kaq gati, për një koncert si ky, që kërkon jo vetëm përkushtimin, por dhe pjekurinë e repertorin e duhur artistik. S’do t’ia dilja dot kurrë vetëm, pa bashkëpunëtorët e miqtë e mi artistë, me të cilët kam krijuar, interpretuar e realizuar në gjithë këto vite, projekte unike, interesante e me muzikë të vërtetë”, shkruan Elsa në statusin e saj në Instagram, duke shtuar: “Këtë do të bëjmë edhe në koncertin e 1 nëntorit, në Tiranë. Ju mirëpres që të më jepni zemrën dhe duartrokitjet tuaja, siç keni bërë gjithmonë, ndërsa unë ju kam dhënë zërin e shpirtin tim!”, përfundon ajo.

/Shqip.com