Lajme

Elezi: 5 subjekte politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 prillit në veri

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se të hënën ka përfunduar afati për  certifikimin të subjekteve politike.

Elezi është shprehur se 11 parti e kanë deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje, ndërkaq 5 po.

“Brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 11 parti politike. Gjithashtu, nga data 9 deri më 13 mars, është zhvilluar afati për konfirmimin e certifikimit të subjekteve politike, proces i zhvilluar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Brenda këtij afati kemi pranuar njoftimin konfirmues nga të gjitha subjektet politike të certifikuara: Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha Elezi.

Ai tha se nga data 9 mars deri më 13 mars subjektet politike kanë mundur ta njoftojnë KQZ rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.

Disa ditë më parë, Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, për shkak se nuk janë përmbushur kërkesat e tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për regjistrimin e partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës. Në këtë drejtim shfrytëzojmë rastin që të t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë përmbushur kërkesat për të cilat jemi larguar nga institucionet e Kosovës dhe nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Theksojmë se Zgjedhjet në veri të Kosovës janë planifikuar të mbahen gjatë muajit prill.

Shtyrja e tyre ishte bërë me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas konsultimeve me partitë politike dhe kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/Shqip.com