Sport Ndërkombëtar

“El Pistolero” po shënon “perla” ende

Luis Suarez

Ditët e arta të karrierës së Luis Suarez kanë perënduar, por ende po dhuron copëza shkëndija.

“El Pistolero” e realizoi një eurgol – në fitoren 3-1 që Nacional e arkëtoi kundër Club Atletico Penarol.

Sulmuesi uruguain e tundi rrjetën në minutën e 52-të – për të treguar që edhe në moshën 35 vjeçare është “vrasësi i vjetër”.

Ajo çka e bëri këtë gol më të veçantë – është fakti që e realizoi me këmbën e majtë – që nuk është e preferuara e Suarezit.

Qendërsulmuesi uruguain u rikthye në vendlinje – në këtë merkato të verës – pasi i ndau rrugët me Atletico Madrid.

Në katër ndeshje të zhvilluara, Luis e ka gjetur rrugën për te goli tri herë – teksa, Nacional gjendet në pozitën e parë në tabelë – me 15-të pikë të grumbulluara.

Luis ka një karrierë të pasur – pasi ndër të tjera e ka fituar Ligën e Kampionëve, La Ligën dhe Kupën e Amerikës.

Teksa, në CV-në e tij figurojnë dy Këpuca të Arta – që i fitoi kur Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi ishin në kulmin e karrierës./Shqip.com