Sport Shqiptar Në kryeqytet zhvillohet ndeshja që nuk duhet humbur

“El Clasico” e basketbollit kosovar vjen në xhiron e parë të Superligës

Dueli që shumë herë e ka përcaktuar titullin e kampionit, luhet qysh në xhiron e parë të Superligës së Kosovës në Basketboll.

Prishtina pret Pejën në përballjen që cilësohet si “El Clasico” e basketbollit kosovar.

Të dyja skuadrat janë gati për fillimin e stinorit të ri.

Kryetari i Prishtinës, Burim Maraj për Shqip.com ka thënë se atmosfera në klub është mjaft e mirë.

Burim Maraj

“Përgatitjet kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundeshe dhe sipas priteshmërive që i kemi pas, kjo duke pasur parasysh nivelin e lartë profesional të udhëheqjes që krye-trajneri Memnun dhe asistentët e tij kanë instaluar ne skuadër. Atmosfera në klub është e mrekullueshme, dinamika, intensiteti dhe profesionalizmi i trajnerit dhe tërë shtabit teknik është përkuar dhe pranuar tek lojtarët”, tha ai.

Nga ana tjetër Drejtori sportiv i KB Pejës, Arbër Elshani, pret fitore në ndeshjen me Prishtinën.

“Përgatitjet kanë filluar shumë mirë dhe kanë ecur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi kaluar fazën kondicionale dhe kemi zhvilluar 4 ndeshje miqësore, të gjithë i kemi fituar. Kjo tregon se shtabi teknik e ka kryer me profesionalizëm të madh fazën përgatitore. Të dielën është derbi më i madh i basketbollit të Kosovës, dy ekipeve që e kanë mbajt gjallë këtë sport në dy dekadat e fundit. Cilado që fiton nuk është befasi, por ne udhëtojmë për fitore”, tha Elashani.

Arbër Elshani

Dy nga skuadrat më të suksesshme në basketbollin kosovar kanë synime të qarta – fitimi i çdo titulli. Maraj ka theksuar se kryesimi i tabelës është synimi kryesor.

“Objektiva kryesore e klubit të kryesojmë tabelën dhe të shpallemi kampion. Kemi bërë shumë punë dhe kjo punë vazhdon edhe sot që skuadra të i ketë të gjitha kushtet që sukseset e këtij sezoni te jenë të mëdha, si në garat kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. Besoj shumë në këtë skuadër, e cila është e mbushur me lojtarë vendor cilësor dhe me shumë potencial”.

Edhe Peja kërkon majën e Superligës së Kosovës.

“Pritshmëria e KB Pejës, çdo sezon është e njëjta. Synojmë të gjitha trofetë”, tha Elashani.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” – por gjendja e tij lë shumë për të dëshiruar.

Pallati i Rinisë dhe Sportit

Sipas, Maraj gjendja e parketit dhe sallës në përgjithësi po ndikon edhe në shëndetin e lojtarëve.

“Edhe pse puna që po bëhet është vërtet e jashtëzakonshme, problemet me infrastrukturën e palestrës, si parketi që është totalisht i dëmtuar dhe nuk i plotëson nevojat minimale për lojë na kanë nxjerr telashe të ndryshme sportive dhe shëndetësore. Po shpresojmë që MKRS sipas premtimeve pa humbur me shume kohe do të investojnë në pallatin e sporteve, gjegjësisht në palestër. Gjendja është e mjerueshme dhe nuk po i bën favor imazhit te klubit, qytetit dhe vendit”.

Peja nuk do të mund të llogaris në mbështetjen e “Shqiponjave”, pasi ata e kanë të ndaluar të udhëtojnë për shkak të dënimit që morën stinorin e kaluar.

Gjatë kësaj ndeshje vëmendja do të jetë edhe tek Dardan Berisha, i cili do të luajë kundër ngjyrave që mbrojti sezonin e kaluar.

Prishtina ka njoftuar se biletat kanë dalur në shitje në ora 12:00, derisa ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 17:15./Shqip.com