Lajme

Ekzekutohen shtesat prej 100 euro për 14 mijë punëtorë të sektorit privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Sot janë ekzekutuar pagesat prej 100 euro për 14 mijë punëtorë të sektorit privat në Kosovë.

Lajmin e ka bër të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Sot është procesuar pagesa prej 100 euro për 14,042 punëtorët e sektorit privat, të cilët është dashur të plotësojnë edhe kriterin kohor.

Njëkohësisht, ata që nuk kanë plotësuar kriteret, kanë pranuar në email edhe vendimin që sqaron arsyen se pse nuk janë kualifikuar (paga mbi 1,000 euro, kanë përfituar njëherë nga masa, aplikime të dyfishta etj.)”, ka shkruar Murati në Facebook.

Javë më parë, pagesa e njëjtë ishte kryer për rreth 210 mijë të punësuar dhe 10 mijë të vetëpunësuar të sektorit privat.

Deri tani, nga 100 euro shtesë i kanë marrë edhe pensionistët ndërkaq për studentët ende nuk është ekzekutuar pagesa.

Kartëmonedha 100 euro

Ndërsa, gjatë seancës së Kuvendit, Murati paralajmëroi se me rishikimin e buxhetit që ka ndodhur sot për Ministri të Financave, nga muaj i ardhshëm zgjerohet skema e shtesave për fëmijë.

Me rishikimin e buxhetit, Murati tha se tani ka mjete të mjaftueshme që të zgjerohet skema për shtesat e fëmijëve.

“Meqenëse sot kaloi edhe rishikimi buxhetit, kam kënaqësinë t’ju njoftoj edhe qytetarët që për shkak të kalimit të rishikimit, tani do të kemi mundësi që prej muajt të ardhshëm të fillojmë me zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë. Pra, nga muaj i ardhshëm do të fillojmë zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë, sepse tani me hyrjen në fuqi të rishikimit, kemi edhe fonde të mjaftueshme”, tha Murati.

Aktualisht fëmijët e lindur pas vitit 2015 i marrin nga 10 euro në muaj, ndërkaq ata që kanë lindur në dy vitet e fundit i marrin nga 20 euro./Shqip.com