Lajme

Ekzekutohen pagesat për lehonat që kanë aplikuar në tetor

Foto: Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të mërkurën ka ekzekutuar pagesat për 2 mijë e 230 lehona të cilat kanë aplikuar për shtesa gjatë muajit tetor.

Ndërsa, të enjten do të ekzekutohet pagesa e dytë edhe për lehonat që kanë aplikuar më herët, dhe tashmë janë në sistem.

Ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, ka njoftuar se gjithsej janë 4 mijë e 400 përfituese.

Lexo edhe:
Hapet aplikimi për pagesën e lehonave dhe shtesave të fëmijëve

Ai ka bërë të ditur se njëkohësisht, është ekzekutuar edhe pagesa retroaktive për shtesat për fëmijë, për 809 përfituese të cilat muajin e kaluar i kishin llogaritë bankare jo-valide.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

“Këtë muaj kemi pasur fluks të madh aplikimesh dhe na ka marrë më shumë kohë validimi e procesimi i pagesave – mbi 90 mijë pagesa të procesuara gjithsej, pa llogaritur masat tjera të pakos”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook.

“Andaj shpresojmë në mirëkuptim për këtë vonesë, të cilën shpresojmë ta evitojmë muajve në vijim”.

Sipas vendimit të miratuar nga Qeveria e Kosovës, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit do të përfitojnë mbështetje financiare prej 170 eurosh për gjashtë muaj, kurse ato të punësuara përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për 3 muaj.

Ndërsa, shtesat për fëmijët 0-24 muaj janë në vlerë 20 euro në muaj, derisa mbi 24 muaj deri në moshën 16-vjeçare janë në vlerë prej 10 euro në muaj./SHQIP.com