Lajme

Ekuipazhet ukrainase të tankeve mbërrijnë në Britani për stërvitje

Ekuipazhet ukrainase të tankeve kanë mbërritur në Britani të Madhe për të filluar stërvitjet e tyre.

Kështu tha ministria Britanike e Mbrojtjes më 29 janar, dhe kjo vjen vetëm disa ditë pasi Britania dhe vendet e tjera të NATO-s premtuan më shumë se 130 tanke për Ukrainën.

“Mbretëria e Bashkuar do t’i ofrojë Ukrainës tanke Challenger 2 së bashku me vendet partnere globale – duke demonstruar ndërkombëtarisht mbështetjen për Ukrainën”, shkroi ministria në Twitter të dielën.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ranë dakord javën e kaluar për t’i dërguar Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, ndërsa Mbretëria e Bashkuar më herët në janar tha se do t’i dërgojë Kievit 14 tanke Challenger 2.

Gjermania lejoi gjithashtu vende të tjera, si Norvegjia dhe Polonia, t’i dërgonin tanket e tyre Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Polonia tha se do të sigurojë 60 tanke të tjera për Ukrainën, përveç 14 tankeve Leopard 2 të prodhimit gjerman që ajo ka premtuar tashmë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjithashtu gjatë ditës së djeshme, u raportuar se perëndimi do të dërgojë më shumë se 300 tanke në Ukrainë.

Kjo sipas deklaratës së ambasadorit të Kievit në Francë.

“Që nga sot, shumë vende kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e tyre për të dorëzuar 321 tanke në Ukrainë”, tha Vadym Omelchenko për mediat franceze.

Në anën tjetër, Uebsajtet e administratës gjermane, duke përfshirë kompanitë dhe aeroportet, janë shënjestruar nga sulmet kibernetike, sipas Agjencisë Federale të Sigurisë Kibernetike.

Grupi mediatik Handelsblatt raportoi se sulmet ishin një hakmarrje ndaj Berlinit që miratoi vendosjen e tankeve Leopard 2 në Ukrainë.

/Shqip.com