Kulturë

Ekspozita e artistit shqiptar “Komploti i Tiranës”, vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të enjten do të shfaqet ekspozita personale e artistit Ardian Isufi nga Shqipëria.

Kuruar nga Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha dhe Elton Koritari, ekspozita e titulluar “Komploti i Tiranës” do të hapet më 12 maj në ora 19:30.

Ardian Isufi ekspozon për herë të parë në një ekspozitë personale pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe do të sjellë për publikun e Kosovës një përzgjedhje nga karriera e tij artistike si edhe vepra të reja e të krijuara specifike për këtë ekspozitë, si pavijonet e Veprave të Pamundura, atë të Komplotit të Tiranës apo Interpelancën e Artistit me Raino Isto dhe Genti Gikola.

Sipas njoftimit, ekspozita heton dhe shfaq procese krijimi, tundime, përballje publike por edhe pamundësi dhe drama kolektive dhe personale të botës së brishtë të artit bashkëkohor – lokal apo global.

Tutje, thuhet se veprat e Ardian Isufit kanë karakter të veprave të angazhuara të cilat ndikojnë drejtpërdrejt mbi opinionin publik si një dialog me mjetet e artit.

Përballë veprave të këtij lloji, në kufirin mes mediumeve të ndryshëm, shikuesi përfshihet drejtpërdrejt nga artisti, i cili e përdor produktin e tij vizual si gjenerues të paqartësive dhe pyetjeve mbi të cilat është legjitime të reflektohet.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 12 qershor 2022./Shqip.com