Lajme

Eksperti: Presupozohet që Ervis Martinaj është gjallë, gjetja e tij do trondiste…

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa bën një deklaratë të papritur lidhur me fatin e biznesmenit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Ai tha se presupozohet që Martinaj është gjallë sa kohë nuk ka një kufomë që të konfirmojë vdekjen e tij.

Gjetja e Ervis Martinajt do trondiste fort politikën shqiptare, thotë më tej Softa.

Po ashtu teksa u pyet lidhur me mosmbajtjen e premtimit të ministrit të Brendshëm Taulant Balla për fatin e shumë të kërkuarit Ervis Martinaj, eksperti i Sigurisë dha dhe një analizë të tij.

“Premtime të tilla të forta jemi mësuar t’i dëgjojmë sa herë që ndërrojnë drejtuesit e institucioneve ku premtohet se do bëjnë hetime dhe arrestime, dhe në fund nuk ndodh asgjë.

Dhe kjo mendoj se ka ndodhur edhe në këtë rast. Megjithatë do të thoja që rasti “Martinaj” është më i veçantë, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me një kriminel, por me një njeri që ka qenë në krye të biznesit të lojërave të fatit dhe një njeri me lidhje të forta mbase edhe politike.

Por di të them se për sa kohë që nuk ka një kufomë gjithmonë presupozohet që Ervis Martinaj është i gjallë.

Ndaj mendoj se gjetja e tij do të trondiste fort politikën shqiptare”, theksoi ndër të tjetra, eksperti Fatjon Softa.

/Shqip.com