Sport Shqiptar

Ekskluzive: Një ndër trajnerët më të suksesshëm të futbollit vendor, afër marrëveshjes me skuadrën kosovare

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu, është afër marrëveshjes me skuadrën nga Banja e Pejës, Phoenix.

“Timonieri” nga Mitrovica e ka konfirmuar lajmin ekskluzivisht në një prononcim për Shqip.com.

“Jemi në negociata tash e një kohë. Bisedat janë duke shkuar shumë mirë dhe të presim se si do të përfundojnë. Unë tash e një kohë jam afër ekipit duke e përcjell nga afër në mënyrë që të marr sa më shumë informacione. Projekti i klubit është shumë serioz dhe po më pëlqen. Pas përfundimit të dy xhirove në Ligën e Parë do ta marrim së bashku një vendim përfundimtar”, ka thënë Gani Sejdiu të martën për Shqip.com.

Phoenix bënë pjesë në Grupin A të Ligës së Parë. Pas xhiros së 12-të ndodhet në pozitën e tretë me 22 pikë, aq sa ka edhe Istogu. Tabelës i prinë Feronikeli 74 me 25 pikë.

Sejdiu është një ndër trajnerët më të suksesshëm të futbollit Kosovar. Ai e ka shkuar historinë me skuadrën e Feronikelit nga Drenasi duke e fituar titullin kampion me këtë ekip për herë të parë në histori të klubit në edicionin 2014/15. Titullin kampion e ka shijuar edhe me Trepçën në edicionin 2009/10.

Kupën e Kosovës e ka fituar me Feronikelin sikurse me Trepçën, ekip më të cilin e ka ngritur edhe trofeun e Superkupës.

Gjithashtu, edhe me Besën e Pejës e ka fituar Kupën e Kosovës në edicionin 2016/17.

/Shqip.com