Sport Shqiptar

EKSKLUZIVE: Ngushtohet lista për trajnerin e ri të Dritës, Alban Dragusha kandidati kryesor

FC Drita gjatë ditës së sotme u shpall edhe zyrtarisht kampione vjeshtore në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Anamorava pas barazimit të Ballkanit me Prishtinën me shifrat 1:1, përfundoi në pozitën e parë me 28 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e dytë, por Drita ka goldallim më të mirë.

Drita së shpejti do të vendos edhe për trajnerin e ri të skuadrës.

Shqip.com nga burime shumë të sigurta brenda klubit mëson se lista për shefin e ri të shtabit teknik është ngushtuar në tre emra.

Alban Dragusha, Arsim Thaqi dhe Bekim Isufi janë tre emrat e listës së ngushtë të kryesisë së Dritës për kryetrajner.

Shqip.com mëson se gjasat më të mëdha i ka Alban Dragusha.

Trajneri i ri i Dritës do të vendoset para viti të ri.

Dragusha e njeh shumë mirë ambientin te Drita.  Në maj të këtij viti ai u largua nga Drita pas tre edicioneve të kaluara në Gjilan në rolin e ndihmës-trajnerit.

Drita praktikën e vendosjes së ndihmës-trajnerëve në krye të shtabit teknik e ka praktikuar edhe në të kaluarën teksa e ka zëvendësuar Shpëtim Duron me Aridan Nuhiun, i cili ka qenë ndihmës i Duros.

Momentalisht me shumë sukses po e drejton Vushtrrinë në Ligën e Parë, mirëpo oferta e Dritës e ka tunduar shumë si dhe dëshira e futbollistëve që ai të jetë “shef” i tyre.

Dragusha edhe si futbollist e ka bartur fanellën e Dritës.

Ai e ka një karrierë shumë të pasur edhe si futbollist ku më parë ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në kohën sa vendi ynë nuk ka qenë i pranuar në UEFA e FIFA.

Dragusha si futbollist krahas shumë ekipeve në Kosovë ka luajtur edhe në Shqipëri, Azerbajxhan, Ukrainë e Suedi.

Drita ka mbetur pa trajner pas largimit të Ardian Nuhiut nga 24 nëntori i këtij viti pas katër viteve.

/Shqip.com