Kulturë Kino

Edicioni i 13-të i “Anibar” thyen rekord, më shumë se 1000 filma të dorëzuar

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar do të fillojë të hënën më 13 në ora 20:00 në Pejë.

Festivali “Anibar” si çdo vit ka për qëllim të sjell programe të pasura përmes filmit të animuar, paneleve, punëtorive, prezantimeve dhe koncerteve.

“Këtë vit kemi pasur më shumë se 1000 filma të dorëzuar ku edhe është shënuar rekord numri i vullnetarëve të cilët kanë aplikuar deri më tani”, treguan organizatorët.

Temë e këtij edicioni do të jenë besëtytnitë, që sipas organizatorëve njerëzit ende i përcjellin në shumë situata e momente.

“Duke marrë parasysh se ky është edicioni i 13-të dhe se ky numër konsiderohet si një numër me fat të keq, kemi vendosur që për këtë edicion ta kemi si temë besëtytnitë”, thanë ata për Shqip.com.

Sipas tyre, duke marrë parasysh faktin që shumë njerëz besojnë në besëtytni e kultura të ndryshme, përmes këtij edicioni do të tregohen histori të tilla.

“Festivali do të filloj nga 13 deri më 19 korrik në qytetin e Pejës. Si çdo vit do të ketë aktivitete të ndryshme si shfaqja e filmave, punëtori, prezantime, panele etj. Ndërsa këtë vit do ti kemi 8 kategori garuese”, thanë tutje ata.

“Ndonëse për disa, besëtytnitë mund të duken të liga e të pa arsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme. Ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë”.

Anibar do të mbahet deri më datën 19 korrik./Shqip.com