Lajme

Edhe sivjet, shumica e institucioneve komunale zgjedhin të ngrohen me dru

Me ardhjen e stinës së ftohtë, komunat që ende nuk e kanë përfunduar furnizimin me lëndë djegëse, fillojnë të hapin tendere për furnizim me to.

E druri është lënda djegëse që përdorët më së shpeshti këtë vit. Komuna e Podujevës ka paraparë 209 mijë euro për furnizim me dru.

Për gjitha institucionet publike, kuvendi komunal i Mitrovicës së Jugut ka shpenzuar 180 mijë euro. Edhe në këtë komunë, druri është lënda djegëse që do të përdoret për ngrohje, për të cilin janë dhënë edhe disa specifikime.

“Drunjët duhet të tranportohen në institucione shkollore, të palohen në tokë, të maten, të sharriten, kurse palimi i drunjëve në depo të kryhet nga personeli i shkollës. Drunjët duhet të jenë të thata dhe të gatshme për përdorim”, bëhet e ditur në kontratën e publikuar, raporton TëVë1.

Për vitin 2023-2024, komuna e Rahovecit ua ka mbuluar furnizimet me dru ahu të gjitha institucioneve shkollore, ku kjo arrin shifrën e 160 mijë eurove.

Kurse për nevojat e komunës së Dragashit, u shpenzuan 123 mijë euro për të blerë dru. Shifër më të vogël, 74 mijë euro destinoi komuna e Klinës për institucionet e saj publike, për t’ua siguruar lëndën djegëse, drurin. E, 64 mijë euro, shpenzoi Shtërpca për furnizim me dru.

“Matja e druve të zjarrit të ahut për të gjitha shkollat në territorin e komunës së Shtërpcës, si dhe furnizimi dhe matja e druve të zjarrit të ahut për zjarrfikëset e Komunës së Shtërpcës”, thuhet në kontratën e publikuar.

Ndërsa për komunën e Kllokotit, u mjaftuan 4683 euro për tu furnizuar me dru për ngrohje. Furnizim të kombinuar, me dru dhe pelet, ka komuna e Deçanit e cila ka shpenzuar mbi 140 mijë euro.

Ndërkaq, komuna e Kaçanikut, peletin ka zgjedhur si lëndë djegëse për shkollat dhe QKMF-të, e territorit të saj, duke destinuar për to mbi 28 mijë euro.

/Shqip.com