Lajme

Edhe Pepsi, Ferrari, e Lamborghini pezullojnë punën në Rusi

Disa marka luksoze po pezullojnë operacionet e tyre në Rusi.

PepsiCo është bërë gjigandi më i fundit i ushqimeve dhe pijeve që ka pakësuar biznesin në Rusi.

Prodhuesit e automjeteve Ferrari dhe Lamborghini po ashtu thanë se nuk do të prodhojnë automjete për tregun rus deri në një njoftim tjetër, raporton BBC.

Firma e PepsiCo thotë se po pezullon shitjet e Pepsi-Cola në vend, si dhe markat e saj globale të pijeve duke përfshirë 7up dhe Mirinda. Por do të vazhdojë të shesë gjërat thelbësore të përditshme, të tilla si formula e qumështit për fëmijë.

Njoftimi i PepsiCo vjen disa minuta pasi rivali i saj, Coca-Cola Company, tha se po pezullonte biznesin e saj në Rusi.

Ndërsa në një deklaratë, kompania Ferrari tha se planifikon t’i dhurojë 1 milion euro (832,000 £) për të mbështetur përpjekjet e ndihmës për qytetarët ukrainas.

Kompania tjetër, Lamborghini, tha se “shpreson për një fund të shpejtë të armiqësive dhe një kthim në diplomaci”. Ajo planifikon të bëjë një donacion për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Marka më e madhe zvicerane e orëve, Rolex, tha gjithashtu të martën se po ndalon eksportet në Rusi.

Ata janë ndër një mori shitësish të nivelit të lartë – duke përfshirë Chanel, Louis Vuitton dhe Gucci – që janë tërhequr nga vendi ditët e fundit./Shqip.com