Lajme

Edhe pas tri rigjykimeve, dënohet me 13 vite burgim ish-polici që tentoi ta vriste ish-gruan

Gjykim/ilustrim
Gjykim/ilustrim

Edhe pas tri rigjykimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Artim Gashi, duke e dënuar me 13 vite burgim për akuzën se tentoi ta vriste ish-gruan e tij

Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjykatësi Naser Foniqi deklaroi se ndaj të akuzuarit Gashi kanë mbizotëruar rrethanat rënduese në krahasim me ato lehtësuese.

Gjykatësi Foniqi tha se arma me të cilën është kryer vepra penale nga i akuzuari, do t’i kthehet Policisë së Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Po ashtu, gjykatësi theksoi se i akuzuari Gashi do të vazhdojë qëndrimin në masën e paraburgimit.

Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese 15 ditë pasi ta marrë aktgjykimin në formë të shkruar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të 2018-ës, e kishte dënuar me 15 vjet burgim ish-policin.

Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur Prokuroria, e cila kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga kjo e fundit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim. Në anën tjetër, kthimin e rastit në rigjykim e kishin kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Sevdali Zejnullahu.

Kurse, Gjykata e Apelit, kishte marrë aktgjykim duke pranuar ankesat e palëve ndërgjyqëse dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 shtator 2020, e kishte shpallur sërish fajtor të akuzuarin Artim Gashi dhe e kishte dënuar me 13 vite burgim.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Apelit, më 17 dhjetor 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, me sugjerimin që të caktohet një super-ekspertizë, ku së paku njëri prej ekspertëve të jetë profesor universitar i lëmisë përkatëse. Sipas Apelit, pasi të merret ekspertiza, e njëjta të vlerësohet dhe të vendoset sipas ligjit.

Kurse, më 28 maj 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur prapë fajtor dhe prapë e kishte dënuar me 13 vjet burgim.

Ndërkaq më 17 gusht 2021, Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të dëmtuarit dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Kurse, Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Artim Gashi dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit ishin të bazuara për shkak se aktgjykimet kundër të cilave ishte parashtruar kërkesa përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.

Sipas aktakuzës së plotësuar më 23 mars 2021, Artim Gashi thuhet se më 4 shkurt 2017, rreth orës 09:30, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën B.C, e cila ishte nisur për provim në fakultet, e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë.

Mirëpo, sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e kishte goditur me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia kishte këputur indet e syrit të majtë, ndërsa plumbi kishte depërtuar në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç’rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetë, me pasoja të përhershme për shëndetin. Aty thuhet se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

/Shqip.com