Lajme

Edhe pas 8 vjetësh ligji anti-duhan vazhdon të mos respektohet – s’ka zbatim, s’ka inspektorë, s’ka as vullnet

Ilustrim

Ligj anti-duhan ka, por është veç në letër – i pazbatueshëm kryesisht tash e tetë vjet.

Zbatimi i këtij ligji rezulton të jetë problematik dhe për këtë janë një mori shkaqesh.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, mekanizëm përgjegjës për monitorimin e zbatimit të ligjit anti-duhan, kontrollet e pakta i arsyeton me numrin e vogël të inspektorëve sanitarë.

Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV, thotë se mbikëqyrja e zbatimit të ligjit të duhanit nuk është mandat vetëm i Inspektoratit Sanitar, por i të gjitha inspektorateve për fushat e kontrollit qe mbulojnë.

“Ndërsa, nga këto Inspektorate nuk kemi pasur fare mbështetje apo inkuadrim lidhur me kompetencat e tyre në institucionet përkatëse dhe kjo e zbehë punën tonë në zbatimin apo pasqyrën e përgjithshme të zbatimit të këtij ligji”, deklaroi Thaçi në një përgjigje me shkrim për Shqip.com.

Shkelësi më i madh i ligjit kundër duhanit vlerësohet të jetë sektori i Gastronomisë, në të cilin AUV-i gjatë këtij viti ka kryer gjithsejtë 1 mijë e 848 inspektime.

Nga 3 mijë gjoba të shqiptuara për bizneset e këtij sektori, 20 për qind e tyre janë për mosrepektim të ligjit për kontrollin e duhanit.

Thaçi tha se ngecje më të theksuar në moszbatim të këtij ligji kanë vërejtur te subjektet e kafe-barëve.

Në këto të fundit, sipas tij, ndonëse janë shqiptuar gjoba, nuk ka ndryshuar qasja dhe nuk është rritur vetëdijesimi.

“Ky ndryshim duhet të vjen nga njerëzit më përgjegjës duke u nisur nga drejtuesit e lartë të shtetit e deri të qytetari, në zbatim të këtij ligji duhet venë të gjithë mekanizmat shtetërorë, të angazhohen institucionet për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe nivelin e edukimit shëndetësor nga profesionistët shëndetësorë”, shtoi Thaçi.

Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e pranon se ligjin nuk është duke e respektuar, por këtë e arsyeton duke thënë se “është shumë i gjerë”.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Arian Vranica, në një prononcim për Shqip.com tha se ligji duhet të ndryshohet dhe të bëhet më i përshtatëm për qytetarët dhe për të gjitha kategoritë e bizneseve.

“Ai ligj duhet të ndryshohet sepse është shumë i vjetër dhe i patrajtuar në nivel qendror”, deklaroi Vranica.

Shoqata e Gastronomëve: Prioritet i Qeverisë të jetë mbështetja e bizneseve  | VushtrriaOnline.net
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve 

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi dy mijë njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga duhani.

Ndërkaq, rreth 200 persona të tjerë thuhet se vdesin si pasojë e qëndrimit në ambiente të mbyllura ku konsumohet duhani.

Besim Morina, Internist-Pulmolog, thotë se pirja e duhanit është një nga veset më fatale për shëndetin.

“Pirja aktive, por edhe pasive e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve obstruktive e mushkërive ku hyn bronkiti kronik dhe emfizema, të cilat shfaqen me kollë, këlbazë dhe vështirësi në frymëmarrje”, pohon Morina për Shqip.com.

Kanceri më i shpeshtë të njerëzit – ai i mushkërive – shkaktohet në shumicën dërrmuese të rasteve nga duhanpirja, thotë Morina, duke shtuar se “duhani shkakton edhe kancerin e laringut, të ezofagut e lukthit”.

“Sistemi kardiovaskular njëjtë si ai i frymëmarrjes, është mjaft i prekur nga efektet dëmtuese të duhanpirjes aktive dhe pasive. Kështu enët të gjakut të zemrës, trurit dhe të pjesëve tjera të trupit dëmtohen në mënyrë direkte nga duhani, duke çuar në shfaqjen e sëmundjeve si infarkti i zemrës, infarkti i trurit, trombozat dhe mbylljet e enëve të ekstremiteteve dhe organeve të brendshme”.

Me ndërprerjen e duhanpirjes, sipas pulmologut Morina, jo vetëm që evitohet paraqitja e sëmundjeve të shumta, por “ne kontribuojmë edhe në rritjen e kualitetit të jetës dhe zgjatjen e jetës në përgjithësi”./SHQIP.com

No photo description available.
Besim Morina, Internist-Pulmolog