Sport Ndërkombëtar

Edhe një kurorë për mbretërit

Real Madrid - fitues i Superkupës

Edhe një trofe në kabinet. Mbretërit e vulosën sundimin e tyre në Spanjë.

Real Madrid është fitues i Superkupës së Spanjës, pasi në finale ka mposhtur Athletic Bilbaon me rezultat të pastër 2-0.

Të udhëhequr nga Carlo Anchelotti, “Los Blancos” po duken të pandalshëm.

Në takimin e sontëm – që u zhvillua në Arabi, madrilienët vazhduan me strategjinë e njëjtë: kundërsulme të shpejta.

Golin e parë e realizoi Luka Modric, kur po zhvillohej minuta e 38-të.

Mesfushori kroat goditi në mënyrë mjeshtërore me të djathtën dhe topi përfundoi në rrjetë.

https://twitter.com/rmdanalysis/status/1482792780321726464?s=20
Goli i shënuar nga Luka Modric

U prit se do të ketë një përgjigje nga Bilbao, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndërkohë, në minutën e 52-të u akordua penalti për “galaktikët”.

Nga pika e bardhë nuk gaboi Karim Benzema, i cili po kalon në formë jetësore.

Në 23 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, ai ka shënuar 24 gola, teksa është autor i tetë asistimeve.

Goli i shënuar nga Karim Benzema

Deri në fund të takimit, Real Madrid mbeti me një futbollist më pak në fushën e gjelbër, pasi Eder Militao u ndëshkua me karton të kuq, sepse luajti me dorë në zonën e rreptësisë.

Por, mundësinë për të shënuar nga penaltia e lëshoi Raul Garcia, goditjen e të cilit e priti Thibaut Courtois.

Në përgjithësi, kjo ishte hera e 12-të që madrilienët e fitojnë këtë trofe.

Paraprakisht – në gjysmëfinale, “La Casa Blanka” e kishte mposhtur Barcelonën, kurse Bilbao e dërgoi në shtëpi Atletico Madridin. /Shqip.com