Lajme

Edhe një ish-komandant i UÇK-së ftohet në Hagë

Sot gjatë ditës ka udhëtuar për në Hagë ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Prizrenit, Sadik Halitjaha.

Përmes një postimi në Facebook, nipi i Halitjahajt, Fisnik Berisha ka thënë se edhe këtë herë ai do të dal fitimtar.

“Gjithmonë me ty daj. Edhe këtë herë do të dalësh fitimtar”, shkroi Berisha.

Halitjaha në shtator të këtij viti ka marrë ftesë për tu paraqitur në  Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Lidhur me këtë kishte reaguar edhe Këshilli i fshatit Mushtit nga i cili është edhe ish-komandanti.

“Ne bashkëvendësit e tij, jemi shumë të sigurt në luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tijën njëkohësisht, sepse shumë mirë e dimë se komandant Sadik Halitjaha, asnjëherë nuk i ka shkelur ligjet ndërkombëtare të luftës, por përkundrazi ka qenë shembull i rrespektimit strikt të këtyre ligjeve dhe i mbrojtjes së dinjitetit njerëzor në çdo kohë dhe çdo herë dhe të cilën gjë po vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite”, thuhet në reagim.

Ky këshill ka potencuar se Halitjaha do të dal fitimtarë edhe në betejën e radhës në Hagë.

“Njëherit jemi shumë të bindur se bashkëvendasi ynë, simboli jonë i luftës së drejtë dhe të pastër për liri, ashtu siç ka ditur të dal fitimtar në luftë, do ta fitojë edhe këtë betejë të radhës në paqe dhe së bashku edhe me shokët e tij që gjinden padrejtësisht atje, do ta dëshmojnë pastërtinë e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kujtojmë se më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

/Shqip.com