Sport Shqiptar

Edhe një gjigant i futbollit në garë për Rashicën

Milot Rashica ka kaluar një sezon fantastik me fanellën e Galatasarayt.

Megjithatë, paraqitjet e yllit kosovar i cili është i huazuar te klubi turk nga Norwich City deri në fund të sezonit, nuk kanë mbetur pa rënë në sy të shumë skuadrave.

Njëri nga klubet e interesuara për shërbimet e vushtrriasit është edhe Galatasaray, i cili synon ta blejë kartonin e tij.

Por, ditë më parë në garë është futur edhe Burnley, klub ky që ka siguruar Premier Leaguen për edicionin e ardhshëm.

Tashmë sipas raportimeve të mediumit turk ‘Footspor’, në garë për shërbimet e 26-vjeçarit është futur edhe gjiganti tjetër turk, Fenerbahce.

Feneri duket se do t’i bëjë konkurrencë të fortë rivalit të tyre të përbetuar të qytetit për transferimin e Rashicës.

Kujtojmë që anësori kosovar ka zhvilluar 29 paraqitje nën fanellën e Galatasarayt në të gjitha garat, duke realizuar gjashtë gola.

/Shqip.com