Sport Shqiptar

Edhe një gjigant evropian interesohet për Brojën

Chelsea ka lënë në listë pritje Armando Brojën, po fitojnë më shumë kohë, për të kuptuar se si do të shkojë afati kalimtar, dhe mbi të gjitha për të kuptuar se do të jetë gjendja fizike e Brojës pas dëmtimit të rëndë që pësoi dhjetorin e shkuar, ku këputi ligamentet e gjurit.
Ylli kuqezi po stërvitet me kohë të plotë me grupin, por stafi mjekësor i Chelseas, ashtu siç rrëfeu edhe Sylvinho, nuk kanë dhënë ende dritën jeshile që Broja të zbresë në fushë.

Ky fakt nuk e ka zbehur aspak interesimin për Brojën, përkundrazi, nga Italia bëjnë me dije se në garë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Chelseas nuk është vetëm Milan, por së fundmi në skenë ka dalë edhe Roma.

 Sipas Sky Sport, Roma e Mourinhos është në kërkim të një qendërsulmuesi dhe Broja është një profil që po fiton shumë kuota këtë periudhë.

Nëse Thiago Pinto, drejtori sportiv i Romës, nuk arrin të mbyllë transferimin e Zapatas, apo të Marcos Leonardo nga Santos, pritet të trokasin në derën e Chelseas për të kërkuar shërbimet e Brojës. Në çdo rast, edhe me Romën, diskutimi është i njëjtë, Broja mund të largohet nga Londra vetëm në formë huazimi, pasi Chelsea nuk dëshiron të shesë kartonin e sulmuesit shqiptar, të paktën jo për momentin.

/Shqip.com