Lajme

Edhe në Zubin Potok pritet fillimi i nënshkrimeve për peticion

Zubin Potok
Zubin Potok

Komuna e Zubin Potokut ka lëshuar një sallë të sporteve për zhvillimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të kësaj komunë, Izmir Zeqiri.

Zeqiri në një përgjigje për teve1.info ka thënë se nënshkrimet pritet të fillojnë në ditët në vazhdim dhe se është skeptik për suksesin e tij.

“Është lëshuar leja për shfrytëzimin e një salle të sportit, sipas kërkesës së tyre, kështu që pritet në ditët në fillim që të fillojë edhe peticioni i tyre. Unë jam skeptik që do të këtë sukses, mirëpo ne e kemi kryer obligimin tonë ligjor”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, dje në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, ka filluar nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Në Mitrovicë të Veriut, peticioni nis pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar, raporton teve1.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

/Shqip.com