Lajme

Edhe në Shqipëri arrestohen 32 policë, dyshohen për afera korruptive

Institucionet e Sigurisë në Shqipëri ashtu si në Kosovë kanë arrestuar mbi 30 zyrtarë të policisë për keqpërdorim të detyrës, dhe marrje të ryshfetit.

Në këtë aksion sipas njoftimit të SPAK, në pikën Kufitare në Morinë është arrestuar edhe drejtori i kësaj pike për korrupsion pasiv.

“32 punonjës policie, përfshirë drejtorin e Pikës Kufitare të Kalimit Morinë akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut

Pas hetimit, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar 34 masa ndalimi për persona dhe punonjës të policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Sipas njoftimit 17 persona janë punonjës të policisë, 14 të tjerë shtetas dhe punonjës policie të cilët janë në arrest shtëpiak si dhe 3 persona të tjerë janë pezulluar nga puna.

Procedimi penal nisi pas kallëzimit nga SHCBA mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, etj.

Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë kryer hetime proaktive, duke përdorur metoda speciale të hetimit. Gjithashtu hetimet janë kryer në koordinim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas SPAK, nga hetimi janë dokumentuar 312 veprime korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete si dhe gjësende të tjera të kundërligjshme./Shqip.com