Sport Ndërkombëtar

Edhe kur nuk luan, ai është më i paguari – flasin shifrat

Bota po mësohet me faktin se Roger Federer nuk luan më. Ai u tërhoq nga sporti zyrtarisht në shtatorin e vitit të kaluar, gjatë turneut të Laver Cup. Edhe pse ky është një ndryshim i madh në statustin e zviceranit, ish-tenisti nuk ka ndryshuar aftësinë e tij për të qenë një makineri të ardhurash.

Revista “Forbes” ka publikuar të ardhurat e tenistëve nga 1 maji 2022 deri në të njëjtën periudhë të këtij viti. Në krye të listës së tenistëve është Roger Federer, me 95 milionë dollarë arkëtime. Nga kjo shumë, ai ka fituar vetëm 125 mijë euro në fushë, ndërsa pjesa tjetër janë arkëtime që vijnë nga jeta e tij jashtë fushës.

Të mendosh që kjo shumë është gati 5 milionë dollarë më e madhe krahasuar me një vit më parë (90.7 milionë dollarë). Për këtë arsye, Roger Federer mbetet ende një nga sportistët më të paguar në botë (i nënti në botë) edhe pse është tërhequr nga sporti gati 8 muaj më parë.

Duket se edhe pse është tërhequr nga sporti dhe tenisi nuk ka më ikonën e tij, ai vazhdon të influencojë në këtë sport. Ai mbetet ende figura kryesore e këtij sporti, çka e konfirmojnë milionat dollarë arkëtime që ai ka çdo vit. Me këto shifra, natyrisht që pensioni nuk duket aspak i vështirë.

/Shqip.com