Lajme

Edhe kështu vidhet në Kosovë

Ish-kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, menaxhoi projektin prej 7,7 milionë eurove. Te Kroni i Mbretit po ndërtohej fabrika për asgjësimin e mbetjeve shtazore, investim i Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Por, për 9 vite mandat ai nuk arriti ta funskionalizonte. Më 2018 ai deklaroi se kjo fabrika për asgjësimin e mbetjeve shtazore do të nis punën shpejt.

 “Përfitimet të cilat janë në mbrojtën e ambientit gjithmonë dhe problemet të cilat neve kemi gjatë asgjësimit të kafshëve të cilat ngordhin nga sëmundjet e ndryshme apo asgjësimin e produkteve ushqimore të cilat asgjësohet në vendin tonë. Me aktivizimin e kësaj fabrike të gjitha këto ushqimet produktet ushqimore dhe kafshët të cilat ngordhin, këtë rast do të përpunohet në formë rofesionale dhe ashtu siç kërkohet dhe e kanë vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian në këtë rast”, kishte thënë Gjinovci në vitin 2018.

Por, Gjinovci nuk e kishte fare në plan përfundimin e kësaj fabrike, pavarësisht se ishte në krye të këtij autoriteti për nëntë vjet. Me të parë se mandati nuk do t’i vazhdohej pas skadimit me 21 korrik 2020, ai hapi një kompani për mbledhjen dhe përpunimin e këtyre mbetjeve shtazore, punë që do duhej ta kryente fabrika e investuar nga BE dhe qeveria.

Madje, për kryerjen e këtyre detyrave ai siguroi pëlqim nga AUV. Kompania në fjalë është INCA dhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gjinovci rezulton të jetë në mesin e tre aksionarëve me 15 për qind të investimit.

E njëjta kompani përpunimin e tyre nuk e bën në Kosovë, por disa qindra kilometra më larg, në Lezhë të Shqipërisë, dhe ndryshe nga e fabrika e AUV, ajo kishte kushtuar vetëm 1.5 milionë euro. Nëpër thertoret e Kosovës kompania e Gjinovcit i mbledh mbetjet shtazore dhe i grumbullon në Krajkovë të Drenasit, për t’i nisur më pas në Lezhë të Shqipërisë, aty ku është fabrika e Alban Zusi, mikut të vjetër të tij.

Shqip ka kontaktuar për këtë Gjinovcin por i njëjti nuk ka pranuar të flas para kamerës e as të jap arsyet përmes telefonit se çfarë e pengoi procesin.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, derisa ka folur për fabrikën e asgjësimit të mbetjeve të shtazëve që nuk është funksionalizuar ende, fillimisht nuk e ka pranuar se ka ndonjë operator privat që kryen këtë punë.

Ai ka thënë se në Kosovë s’ka kompani të tillë. Kur i është përmendur fabrika INCA K, ai ka thënë se kjo kompani grumbullon mbetjet e shtazëve në Kosovë, duke u hutuar për këtë fakt. 

Por, kur është pyetur për kompaninë INCA K që Gjinovci e ka nisur në Kosovë, ai ka mohuar se dinë diçka për këtë biznes, pavarësisht që pëlqimi për kompaninë e Gjinovcit mban nënshkrimin e Kadriut.

Pavarësisht pëlqimin që ka marrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kompania e Valdet Gjinovcit, INCA K nuk ka marr leje për grumbullimin e mbetjeve shtazore nga Ministria e Ambientit.

Kryeshefi aktual i Agjencisë së Ushqimit, Flamur Kadriu, ka thënë se INCA K e Gjinovcit i ka plotësuar të gjitha kriteret për leje. Por kur kemi pyetur Ministrinë e Ambientit kanë deklaruar se INCA K s’ka leje për këtë veprimtari

Shqetësime se fondet e taksapaguesve evropian shkuar në një projekt të dështuar, ka shprehur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për çka thonë se fillimisht u janë drejtuar përfaqësuesve të AUV e më pas edhe Qeverisë.

“Zyra e BE-së ka kërkuar shpesh nga AVUK-u dhe së fundi edhe nga qeveria e Kosovës që t’i mundësojë kushtet për vënien në funksion të qendrës së trajtimit. Zyra e BE-së i ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesën e vënies në funksion të “qendrës së trajtimit”. Rreziku  kontaminimit të mjedisit nga deponimi i mbeturinave shtazore në deponinë komunale mbetet i lartë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës se BE-së në Kosovë.

Mirëpo dështimi i fabrikës duhet të merr epilog.

Për shkak të mos arritjes së funskionalizimit të kësaj fabrike, po planifikohet t’i kalojë dikujt nën menaxhim bazuar në PPP (Partneriteti Publiko Privat).

Burime të Shqip.com kanë alarmuar se fabrika prej 7.7 milionë eurove është duke u trasuar rrugën t’i kalohet nën menaxhim kompanisë së Gjinovcit, INCA K.

Për të gjitha këto ka heshtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, që ka direkt përgjegjësi ligjore për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, pasi kjo e fundit funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk ka pranuar të flas për dështimin e futjes në punë të fabrikës 7.7 milionë euro që i ka kushtuar buxhetit të Kosovës dhe taksapaguesve Evropian.

Shqip.com e ka pritur disa javë Kurtin që ta kthente një përgjigje, por shefi i qeverisë zgjodhi heshtjen në praktik.

Por, shefi i Qeverisë në teori thirret se do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, por deri më tani s’ka dhënë shembuj konkret, siç është konkrete dështimi i një projekti milionësh.