Lajme

Edhe Apeli në Slloveni hedh poshtë padinë e Martin Berishajt, kundër gazetarit slloven

Pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Lubjanë për të rrezuar padinë e Martin Berishajt kundër gazetarit Vitomir Petroviç si të pabazuar, ambasadori i Kosovës në Kroaci e kishte apeluar vendimin, por edhe Gjykata e Lartë Sllovene ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Berishajt. Vendimi për hedhjen poshtë të ankesës së Berishajt, siç raporton Albanian Post, është marrë me 7 korrik 2023.

Në përgjigjen e gjykatës sqarohet se pas vendimit nga trupi gjykues për të rrëzuar padinë private të Berishajt, tashmë është vendosur që edhe ankesa e tij të hidhet poshtë.

Vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut thoshte se lënda ka “përfunduar pa efekt juridik”, meqë Berishaj nuk ka arritur të dokumentojë shpifjet e pretenduara në tekstin ku për Berishajn tregohej – për herë të parë – se ka funksionin e mushkës në një ndërmarrje kriminale për shpërlarjen e parave.

Në lidhje me pyetjen që ju i keni drejtuar Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, lënda II K 45570/2022, përgjigja jonë është, në përputhje me Rregulloren e Gjykatës, se më 17. 11. 2022, Trupi gjykues ka nxjerrë aktvendim me të cilin rrëzohet padia private. Pasi u zhvillua një procedurë ankimimi/apeli, Gjykata e Lartë në Lubjanë e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar në seancën e saj të datës 7.7.2023 dhe konfirmoi vendimin e trupit gjykues jashtë dëgjimit dhe vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për media i Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, Mateja Jazbec për Albanian Post.

Vetë Berishaj, por as Qeveria e Kosovës nuk kanë njoftuar fare se është rrëzuar padia e ambasadorit, përkundër se e kishin njoftuar vendimin për të ushtruar padi ndaj gazetarit slloven.

Në anën tjetër, aktualisht po zhvillohen procedura hetimore ndaj vetë Berishajt për evazion fiskal në Kosovë pasi kishte tërhequr shuma të majme parash në kesh duke mos i deklaruar – para që i mori në formë të pagesës nga kompania GEN-I, dega në Beograd.

/Shqip.com