Lajme

EdGuard: Vendimet për shtyrje të mësimit duhet mirë të argumentohen

Foto e ilustruar

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shtyrë edhe për dy javë fillimin e vitit të ri shkollor për shkak të pandemisë COVID-19 ka ngjallur reagime. Së fundmi, Instituti EdGuard përmes një reagimi publik, ka thënë se vendimi si ky duhet të argumentohen.

Në reagimin e publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, nga ky institut kanë thënë se janë duke monitoruar me kujdes vendimet e qeverisë për shtyrje të fillimit të procesit mësimor dhe ndërprerjen e parashkollorit.

Lexo edhe:
Shtyhet edhe për dy javë nisja e procesit mësimor

“EdGuard vlerëson që vendime si ky nevojiten të mirë argumentohen. Cili është niveli i infeksionit tek fëmijët; cili është niveli i fatalitetit nga virusi tek fëmijët; cili është niveli i transmetimit të virusit në komunitetin e shkollës?! Nëse shqetësimi institucional është në mungesë të kapaciteteve spitalore atëherë reagimi duhet të jetë në rritje të kapaciteteve jo në mbyllje të shkollave”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas tyre, moskomunikimi i hapur me komunitetin e shkollës është duke shkaktuar hamendësim dhe shqetësim që lehtë mund të kthehet në hezitim për rikthim.

“Rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetit publik si “WHO”, “CDC”, dhe “ECDC” promovojnë rikthimin në shkolla – në linjë me këtë vlerësojmë që duhet të jenë edhe vendimet e qeverisë”.

“EdGuard fton që përkushtimi institucional të jetë mësimi në shkolla, evidenca është e qartë, periudha jashtë shkollës për nxënës ka ndikim signifikant në arritjet në mësim; shëndetin mendor dhe fizik. Ende nuk ka dëshmi që rreziku nga virusi për fëmijë në shkollë është më i madh sesa dëmi afatgjatë nga mos prezenca në shkollë”./SHQIP.com