Lajme

E shkarkoi Sunak/ Kur Suella Braverman shfaqte hapur racizmin: Po na pushtojnë kriminelët shqiptarë!

Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman, është shkarkuar sot nga posti, pas kritikave që bëri për protesta pro-palestineze, për të cilat tha se janë shqetësuese si dhe akuzoi policinë britanike për dy standarde. Por Braverman, pak kohë më parë ishte kthyer në protagoniste edhe për shqiptarët, pikërisht për komentet raciste ndaj emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Braverman, vajza e dy emigrantëve me origjinë indiane, të cilët emigruan në Britani në vitet 1960 përkatësisht, nga Kenya dhe ishujt Mauritius, u shpalli ‘luftë’ emigrantëve shqiptarë, të cilët kalonin kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese më të mirë përtej brigjeve kontinentale.

Rreth një vit më parë, Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga emigrantët shqiptarë që përshkojnë me varka kanalin e La Manshit, si dhe si pjesëtarë të grupeve kriminale.

Në përgjigje të një komenti nga deputeti konservator Craig Mackinlay, i cili tha se “asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat”, Braverman tha se ai ka të drejtë.

“Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime”, tha ajo.

Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.

Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkarkimin e Suella Braverman e kërkuan edhe shumë emigrantë shqiptarë që jetonin në Britaninë e Madhe pikërisht për gjuhën e saj raciste, pasi zhvilluan një protestë në Londër.

LEXO EDHE:

/Shqip.com