Sport Ndërkombëtar

E pazakontë, trajneri kundër skuadrës së tij

Trajneri Italian, Antonio Conte ka shpërthyer në konferencën për shtyp pas ndeshjes së Tottenham me Southampton. Ekipi i tij barazoi 3-3 në udhëtim teksa Conte nuk e ka kapërdirë këtë rezultat pasi “Gjelat” po fitonin 1-3 ndërkohë që  pësuan dy gola, duke humbur dy pikë. Conte fajësoi lojtarët, por nuk u kursye as klubin.

“Problemi është se ne kemi treguar që nuk jemi ekip. Jemi njëmbëdhjetë lojtarë, por unë shoh lojtarë egoistë në fushë, që nuk duan të ndihmojnë veten, që nuk luajnë me zemër, por këtu ata janë mësuar prej kohësh me këtë sjellje.

Klubi ka përgjegjësi për afatin kalimtar. Trajnerët vijnë këtu dhe sigurisht që kanë përgjegjësi. Po lojtarët? Lojtarët, ku janë lojtarët? Ata nuk duan të luajnë nën presion. Ata nuk duan të luajnë nën stres. Historia e Tottenhamit është kjo, në 20 vjet nuk ka fituar asgjë. Pse? E ka fajin klubi apo të gjithë trajnerët që vijnë? Deri tani jam munduar ta fsheh situatën.

Tani kanë mbetur edhe 10 ndeshje. A mendojnë njerëzit se mund të luftojmë akoma? Për vendin e shtatë? Vendin e tetë? Jam shumë i mërzitur”, ka shfryrë Conte. Kjo deklaratë e ashpër e Konte është duke bërë xhiron e rrjetit.

/Shqip.com