Sport Ndërkombëtar

E padëgjuar më parë, Mbappe me ofertë sa trefishi i të gjithë lojtarëve të PSG-së

Kylian Mbappe ka para vetes një ofertë të çmendur, që është më e madhja në histori të futbollit.

Sulmuesi francez ka vendosur të largohet nga Paris Saint Germain, por vazhdon të jetë në dyshim se cilën skuadër do ta zgjedhë.

Skuadra arabe Al Hilal ka bërë ofertë zyrtare në drejtim të PSG-së për t’i fituar shërbimet e Mbappes, duke ofruar 300 milionë euro.

Por edhe më shokuese është oferta që i është bërë Mbappes, me francezin që nëse pranon transferimin te Al Hilal do të fitojë 700 milionë euro neto në sezon.

Mbappe do të bëhej padyshim futbollisti më i paguar në histori të futbollit pasi bëhet fjalë për një shumë të padëgjuar më parë.

24-vjeçari do të fitonte trefishin e pagës që fitojnë të gjithë bashkëlojtarët e tij aktual te PSG, pasi gjiganti francez aktualisht ka pagesa prej 200 milionë euro në sezon për të gjithë futbollistët e tij.

Oferta tani është bërë dhe topi ka kaluar te këmbët e Mbappes nëse do ta pranojë këtë ofertë tunduese apo do ta refuzojë për ta bërë ëndrrën e tij realitet që të luaj për Real Madridin.

/Shqip.com