Lajme

E gjuajti me ujë Faton Pecin, Musliu: Kam përdorur një mjet demokratik të protestës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu

E gjuajti ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin me ujë, por deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu thotë se “ka përdorur një mjet demokratik”.

Kështu, Musliu deklaroi të martën në emisionin “Frontal”, disa orë pasi e gjuajti me ujë Faton Pecin.

“Unë kam përdorur një mjet demokratik të protestës sot, pas reagimit tim ndaj kryetares së Komisionit, të cilës i kërkova që të ndërhyjë në gjuhën fyese dhe akuzuese të ministrit. Në momentin që kryetarja nuk mundi që ta ndalojë ministrin, atëherë unë përdora mjetin tim demokratik për ta ndaluar akuzën ndaj meje”, ka thënë ajo.

Si rrjedhoi ngjarja?

Ganimete Musliu duke gjuajtur me ujë ministrin Peci.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka quajtur “rrugaç” ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, të cilin edhe e ka gjuajtur me ujë.

Kjo ka ndodhur pas tensioneve mes tyre në raportimin e Pecit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Pas kësaj, mbledhja e këtij Komisioni është ndërprerë.

E gjithë ngjarja ka ndodhur pas akuzave që ministri Peci i ka bërë në drejtim të Musliut.

“Ti përfaqëson më gjuhen e përfaqëson krimin. Qajo pjesa e krimit në Ministrisë së Bujqësisë ka një mbështetje politike dhe kjo pi bije që je ti ajo zyrtare që je në prapavijë”, ka thenë Peci. /SHQIP.COM