Sport Ndërkombëtar

E çuditshme, për meçin me Furyn, Ngannou do të fitojë dyfishin e fitimeve të gjithë karrierës

Më 28 tetor, në Arabinë Saudite, do të zhvillohet një duel me 10 raunde në sportin e boksit mes kampionit britanik Tyson Fury dhe kamerunasit Francis Ngannou. Ky i fundit është ish-kampion bote në peshën e rëndë në artet marciale mikse.

Menaxheri i Ngannou, ka rrëfyer për “Daily Mail” se kamerunasi do të arkëtojë nga ky duel dyfishin e parave që ka fituar përgjatë gjithë karrierës së tij në kafaz (14 duele). Një sfidë që do të zhvillohet me rregullat e boksit e ku Fury nuk rrezikon të humbasë titullin e kategorisë WBC.

Nga ky duel, Ngannou do të përfitojë 8 milionë dollarë, ndërkohë që përgjatë 14 dueleve në kafaz ka fituar vetëm 4 milionë dollarë. Në duelin e fundit na MMA, Ngannou fitoi 457 mijë dollarë, shifër kjo shumë e ulët krahasuar me arkëtimet që ka Fury në duelet e boksit.

“Jeta po ndryshon për Francis. Kjo është ajo që kishim planifikuar dhe realisht po ndodh, ndaj jemi të lumtur. E pranoj që fitimi nga ky duel është shumë më i madh se sa ai ka fituar përgjatë gjithë karrierës”, tha menaxheri i Ngannou, që u largua nga UFC në janar 2022.

/Shqip.com