Lajme

Dyshohet se përfitoi 60 mijë euro nga organizimi i bixhozit, kërkohet paraburgim për një person në Gjakovë

Ilustrim.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktim të masës së paraburgimit për një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale ““Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Siç ka njoftuar Prokuroria përmes një komunikate për media, nga organizimi i lojërave të fatit, i dyshuari dyshohet se ka përfituar 60 mijë euro.

“Prokuroria njofton se, i pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022 në një kafiteri në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit – baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh. H., i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) euro”, thuhet në njoftimin e PTHGJ-së.

Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Përveç, veprave penale të lartcekura të cilat dyshohet se i ka kryer i dyshuari, thuhet se ai ka mbajtur armë dhe municion paautorizim të cilat janë konfiskuar nga ana e Policisë./Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë tekst, cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës.