Lajme

Dyshohet për rreth 100 mijë euro keqpërdorim nga KMDLNJ, rasti në Gjykatë

KMDLNj

Komisioni  për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thuhet se ka keqpërdorur rreth 100 mijë euro të taksapaguesve.

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se rasti është dërguar në Gjykatë.

“KMDLNj-ja i ka keqpërdorur rreth 100.000€ të taksapaguesve. Rastin e kemi dërguar në Gjykatë dhe këta që supozohet t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, le të përgatiten ta mbrojnë fillimisht veten para drejtësisë!. Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit të Asociacionit që na e deformon shtetin”, shkroi Sallahu në Facebook.

Sallahu tha se liritë dhe të drejtat e njeriut i cenojnë ata që bëjnë thirrje për themelimin e mekanizmave që shkelin Kushtetutën, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare. Ne i respektojmë ato maksimalisht. Por, liritë dhe të drejtat e njeriut i cenojnë pikërisht ata që bëjnë thirrje për themelim të mekanizmave që e shkelin Kushtetutën, siç është Asociacioni, i cili në thelb është strukturë e bazuar në përkatësi etnike, përmes të cilës rriten dallimet e diskriminimet kombëtare, që janë në frymë të kundërt me liritë dhe të drejtat e njeriut”.

Ky komisioni në një reagim për media ka kërkuar themelimin e këtij asociacioni.

“Prandaj, KMDLNj propozon që Asociacioni – Zajednica të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës – ata thonë se ky vendim është i vlefshëm deri në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe anulimin e vendimit për targa nga Qeveria e Kosovës.

/Shqip.com