Lajme Botë

Dyshohen për vrasje dhe spiunazh të dyshuar, NATO dëbon 8 diplomatë rusë

Selia e NATO-s në Bruksel

Blloku perëndimor ushtarak – NATO – ka vendosur të dëbojë tetë diplomatë rusë, të përshkruar si “oficerë të padeklaruar të inteligjencës”, si dhe të përgjysmojë misionin e Rusisë në këtë aleancë kur bëhet fjalë për aktivitete që përfshijnë vrasjet dhe spiunazhin.

Tetë diplomatët pritet të largohen nga Brukseli deri në fund të këtij muaji dhe pozicionet e tyre do të shfuqizohen, raporton ‘Sky News’.

Me këtë rast aktiviteti i misionit rus në NATO në kryeqytetin belg, ku është edhe selia e kësaj organizate, do të bjerë në 10 persona.

“Ne mund të konfirmojmë se kemi tërhequr akreditimin e tetë anëtarëve të Misionit Rus në NATO, të cilët ishin oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse,” tha një zyrtar i NATO-s.

“Gjithashtu mund të konfirmojmë se kemi zvogëluar numrin e pozicioneve që Federata Ruse mund t’i akreditojë NATO-s në 10”, shtoi ky zyrtar.

Ai më tej tha se politika e NATO-s ndaj Rusisë mbetet e qëndrueshme.

“Ne kemi forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë mbetemi të hapur për një dialog kuptimplotë”, tha ai.

Sipas raportimeve, ky vendim erdhi të martën, pasi dolën zbulimet në lidhje me përfshirjen e dyshuar të Moskës në një shpërthim vdekjeprurës në një depo municionesh në Republikën Çeke.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha muajin e kaluar se aleanca ka “forcuar mbrojtjen e saj” në përgjigje të agresionit rus

Një herë tjetër kur NATO ka ndërmarrë një veprim të tillë kolektiv kundër Moskës ishte kur aleatët dëbuan shtatë diplomatë rusë nga misioni pas helmimeve nga spiunët në Salisbury më 2018, si pjesë e një dëbimi masiv të oficerëve të inteligjencës ruse nëpër vendet aleate.

Në atë kohë, ata zvogëluan madhësinë e misionit rus nga 30 në 20. /Shqip.com