Lajme

Dy vjet prej kur ish-krerët e shtetit janë në paraburgim në Hagë

Tashmë janë bërë dy vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të shtetit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Nga 15 konferenca që janë mbajtur deri tani – procesi gjyqësor ndaj tyre nuk ka filluar ende.

Procedura paraprake është karakterizuar me akuza të mbrojtjes drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me pretendime për fshehje të provave shfajësuese, redaktime të shumta në materiale dhe vonesa në nxjerrjen e dokumenteve.

Aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020.

Më 29 prill, është dorëzuar një aktakuzë e ndryshuar ndaj tyre, ku pretendohet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

/Shqip.com