Lajme Ballkan

Dy të vdekur, moti i keq shkakton tragjedi në Shqipëri

Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme.

Prej mbrëmjes së djeshme Durrësi është përfshirë nga moti i paqëndrueshëm me shtrëngata shiu dhe stuhi.

Situata nuk është aspak më e mirë as në qytetet tjera të Shqipërisë.

Në Elbasan dhe në Shkodër uji ka vërshuar brenda shtëpive. Mësohet se në lagjen Ajasem të bashkisë Shkodër 10 shtëpi janë nën pushtetin e ujit. Prej 72 orësh territori i qarkut të Shkodrës ka qenë i përfshirë nga reshjet.

Në Malësinë e Madhe rrjedha e ujit ka marr përpara një automjet ku po udhëtonin tre persona, babai bashkë me vajzën dhe djalin e tij, raporton Abcnews.

Fatkeqësisht babai dhe djali kanë ndërruar jetë, ndërsa vajza ka shpëtuar pasi është ndihmuar nga një banor i zonës.

/Shqip.com