Lajme

Dy të vdekur dhe 1 mijë e 793 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Klinika Infektive, QKUK.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 kanë humbur jetën dy pacientë.

Gjatë këtyre orëve janë regjistruar 1,793 raste të reja teksa janë shëruar 174 persona.

Raporti i publikuar nga MSH-ja për COVID-19

Numri i rasteve aktive me COVID-19 mbetet në vend 8,035 raste.

Theksojmë se muajin e fundit, në vend ka shpërthyer një valë e re me nënvariantin e virusit të tipit Omicron me simptomat tashmë të njohura “djegie e fytit, dhimbje e muskulaturës, temperaturë, ethe dhe plogështi”.

Zëdhënësja për media e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Era Pireva tha për Shqip.com se personat e infektuar duhet të karantinohen.

“Personat që rezultojnë pozitiv me COVID-19 duhet të karantinohen për 10 ditë”- tha ajo.

Sipas rekomandimeve nga IKSHPK-ja, karantinimi mund të shkurtohet në 7 ditë në rast se rezultoni negativ dy herë me test PCR apo test të shpejtë.

“Testi për COVID-19 duhet të kryhet në ditën e 6-të apo të 7-të të izolimit, me dallim prej 24 orësh ndërmjet testeve”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Ndërkaq, nga ky Institut janë shtuar thirrjet për bartjen e maskave në ambiente të mbyllura, si dhe për vaksinim.

Më 14 korrik, MSH-ja ka miratuar dhënien e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.

Ndërsa, grupmosha 60+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë kurse grupmosha 12+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë.

Nga 14 korriku, Bashkimi Evropian ka pranuar certifikatat e vaksinimit dhe të testimit të lëshura nga institucionet e Kosovës për COVID-19./Shqip.com