Sport Shqiptar

Dy skuadra të mëdha në garë për Albion Rrahmanin

Pas largimit të Ermal Krasniqit në janar, Ballkani mund të mbetet edhe pa njërin prej futbollistëve kryesor.

Fjala është për golashënuesin më të mirë të sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës, Albion Rrahmani.

Sipas RTV Dukagjini, Dinamo Zagreb dhe një skuadër nga elita e futbollit holandez kanë shprehur interesim për 22-vjeçarin.

Për Rrahmanin janë të interesuara edhe disa klube të tjera nga Evropa, por burimet e televizionit kanë thënë se dy skuadrat e lartcekura janë më afër për të siguruar shërbimet e tij.

Gjithashtu mësohet se sulmuesi nga Podujeva kishte refuzuar edhe një ofertë nga një skuadër ukrainase, teksa kishte qenë pranë transferimit në janar te një klub çek.

Rrahmani konsiderohet si një nga zbulimet e viteve të fundit në futbollin kosovar. Paraqitjet e tij ishin të mrekullueshme në garat evropiane edicionin e kaluar.

Para se të transferohej te Ballkani, Albion Rrahmani kishte shkëlqyer te Malisheva në Ligën e Parë gjatë sezonit 2020/21.

Ndryshe, përveç tij nga skuadra suharekase mund të largohen edhe Lindon Emërllahu, Nazmi Gripshi dhe Meriton Korenica.

/Shqip.com