Lajme

Dy rezoluta dhe një interpelancë/ PS-PD të përçarë edhe për Kosovën

Faktori politik në Shqipëri e ka të vështirë të unifikohet edhe për ccështje me interes kombëtar. Prej 10 ditësh, Kosova po kalon një situatë delikate në veri të vendit, pasi një njësi terroriste serbe sulmoi patrullën e policisë dhe për pasojë vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Kundërpërgjigjja e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës ishte e menjëhershme duke neutralizuar 3 prej terroristëve dhe plagosur disa të tjerë. Grupi terrorist udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç i cili një ditë më parë u arrestua në Beograd, por sot u la i lirë nga gjykata. Roli i Serbisë në organizimin e sulmit terrorist në veri të Kosovës është tashmë i dokumentuar.

Tirana e përçarë
Mazhoranca dhe opozita në Tiranë duken të ndara sa i takon qëndrimit që duhet mbajtur ndaj Beogradit dhe si duhet orientuar debati kundër sulmit terrorist në veri të Kosovës. Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka depozituar në Kuvend kërkesën për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Basha insiston se Rama duhet të bëjë publik qëndrimin e tij si dhe duhet të artikulojë qartë pse ka kërkuar dërgimin e KFOR për ruajtjen e rendit në tre komunat me shumicë serbe. Një deklaratë e tillë nga kryeministri interpretohet nga opozita si dashakeq në një kohë kur Kosova po tenton të shtrijë sundimin e ligjit brenda territorit të saj sovran. Pjesa tjetër e opozitës, ajo e rreshtuar në krahun e Rithemelimit të Partisë Demokratike me kryetar ish-kryeministrin Sali Berisha, i mbështetur edhe nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka gati një rezolutë që duhet miratuar në Parlament. Mirëpo të hënën, 2 tetor, Partia Socialiste u vu në lëvizje gjatë debatit parlamentar duke njoftuar se edhe ata do të prezantojnë një rezolutë për të dënuar ngjarjen që i mori jetën policit shqiptar ne Zveçan.

Interpelancë apo rezolutë?
Për situatën në veri të Kosovës e para reagoi Partia Demokratike, duke i kërkuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të dënojnë Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiç për qasjen e tij destruktive ndaj shteteve të tjera në rajon. Interpelanca pritet të zhvillohet seancën e ardhshme parlamentare, por nuk dihet ende nëse kreu i qeverisë do të përgjigjet vetë, apo do t’ia delegojë debatin ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Nga ana tjetër, dy rezoluta pritet të depozitohen orët në vijim, ajo e Rithemelimit të PD dhe tjetra e mazhorancës. Edhe njëherë tjetër, faktori politik shqiptar nuk arrin të unifikohet për një çështje kaq madhore dhe me interes kombëtar në mënyrë që të shuheshin dyshimet dhe artikulimet që mund të devijojnë qasjen nga agresori i vërtetë, që si gjithnjë është Serbia!

/Shqip.com