Lajme

Dy persona dyshohet se vodhën mbi 117 mijë euro në zyrat e KEDS-it

Dy persona po kërkohen nga Policia e Kosovë pasi dyshohet se kanë kryer një grabitje në zyrat e KEDS-it në Prizren.

Policia njofton se grabitja është raportuar më 1 mars të vitit 2021. Të dyshuarit nën kërcënimin e armëve kishin arritur të vjedhin 117 mijë e 271 euro dhe më pas ishin larguar në drejtim të shkollës “Mati Logoreci”.

“Me datë 01.Mars 2021, rreth orës 15:03 në Stacionin Policor Prizren është raportuar për rast ‘Grabitje’ ne zyrat e KEDS-it. Rastit në vendin e ngjarjes në Rr.Zahir Pajaziti i janë përgjigjur njësitet policore relevante, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale – hetimore”.

“Dy persona të dyshuar nën kërcënimin e armëve kanë arritur që nga aty të ‘Vjedhin’ një shumë parash prej 117.271.86 euro. Pas veprës së kryer, të dyshuarit largohen në drejtim të shkollës ‘Mati Logoreci’”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se lidhur me rastin e ndodhur, nga ana zyrtarëve policorë te Sektori Rajonal i Hetimeve është punuar intensivisht në drejtim të zbulimit të identitetit të personave të dyshuar.

“Përkundër përpjekjeve të bëra, deri tani nuk është arritur që të identifikohen të dyshuarit dhe të lokalizohet vendqëndrimi i tyre. Me qëllimin që vendndodhja e të dyshuarave dhe identiteti i tyre të zbulohet sa më parë, nga ana e Prokurorit të Shtetit lëshohet autorizim për publikimin e fotografive dhe video incizimeve të mara nga kamerat e sigurisë”.

“Andaj, kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët që nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarve, të raportojnë Policinë Rajonale në Prizren, apo në cilindo stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com