Sport Ndërkombëtar Rivalët e përjetshëm - duhet të bashkohen

Dy mbretër, një lamtumirë – në qytetin e dritave

Messi dhe Ronaldo

Opinion

“E patë, ajo e shtunë ishte sikur Cezari kur hynte në Romë pas fitores. Erdha, pashë, fitova”, këto ishin fjalët e Sir Alex Fergusson, kur rrëfeu për rikthimin e Cristiano Ronaldos në ishull.

Por, ekziston një fije e hollë mes realitetit dhe hiperbolës që legjenda skoceze i thur djaloshit – të cilin e solli nga Portugalia – në “Teatrin e Ëndrrave”.

Ronaldo – mbase edhe mund të quhet mbret, por ai nuk fitoi. Si rrallë herë në karrierë, ai humbi.

Madje, portugezi i pagoi mëkatet e djajve, pasi skuadra e United dukej pa ide, pa plan, pa të ardhme.

E tillë duket ende, ani pse në krye ka një strateg që me pak para, bëri shumë mrekulli në Holandë.

Lajmi që Ronaldo kërkoi të largohej nga stadiumi, ku u ngrit në maje të botës për herë të parë – më gëzoi.

Djajtë do luajnë në sezonin e ri në Europaligë, është komike të mendosh që golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve të luaj në atë kompeticion – dytësor.

Ky labirinth i gjatë – që ngjason me atë të Gjeneralit të Marquezit – duhet ta ketë një fund. Në Francë.

“Parku i Princave Mbretërve”

Drejtuesit e Paris Saint Germain mbase nuk kanë ide për futbollin.

Ama, gjepat i kanë të mbushur me para.

Nuk e kanë problem të shpenzojnë dhe këtë e treguan kur nga kasaforta zbrazën 222 milionë euro për Neymar Jr.

Vitin e kaluar në “Parkun e Princave” e sollën Leo Messin.

Pas gati dy dekadave të kaluara në Barcelonë, ai dukej si një “fëmijë i frikësuar” në Francë.

Pati ca shkëndija, ama aq. Veshgjatën nuk e solli dot në qytetin e dritave.

Por, magjia e Leos nuk ka mbaruar.

Mjafton të shikosh ndeshjet e tij me kombëtaren e Argjentinës dhe bindesh.

Atij po i mungojnë dy elemente: një trajner i madh dhe një njeri që e plotëson trekëndëshin e sulmit.

Problemi i parë nuk është zgjidhur ende, teksa i dyti – i ka vetëm tri shkronja: CR7.

Messi-Ronaldo së bashku në një mision të fundit – mbase tingëllon si diçka jo e arritshme, ama të dy ja kanë borxh tifozëve këtë.

Një “last dance” për hir të futbollit. /Shqip.com