Lajme

Durmishi: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi këtë të hënë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme pas reshjeve të mëdha të borës.

Në një postim në Facebook, Durmishi shkroi se në të gjitha shtatë regjionet, kompanitë e kontraktuara janë në terren.

“Edhe në këto orë të vona jemi në terren për t’u siguruar se po punohet me intensitet të shtuar në mënyrë që rrugët të jenë të kalueshme pavarësisht reshjeve të vazhdueshme”, tha ai.

Ndërsa, luti të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të kenë me vete pajisjet e nevojshme dhe të vozisin me kujdes të shtuar.

“Ne do të kujdesemi që ju ta keni sa më të lehtë lëvizjen nëpër rrugët që janë në kompetencë të MMPHI-së”.

Edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave të hënën, ka apeluar për kujdes nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.

“Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve”, thuhet në apelin e PK-së.

“Prandaj, Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent”./SHQIP.com