Lajme

Durmishi: Mund të paditemi për shkëputjen e kontratës për rrugën Prishtinë-Mitrovicë

Hysen Durmishi, zëvendësministër në MMPHI
Hysen Durmishi, zëvendësministër në MMPHI

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se Kosova mund të paditet për shkëputjen e kontratës për rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Durmishi ka shpjeguar se si ka ardhur edhe deri te shkëputja e kontratës.

“Ne si ministri kemi pasur për obligim që t’i përfundojmë të gjitha procedurat e shpronësimit përfshirë edhe pagesat deri në mars 2022, dhe më 28 shkurt 2022 i kemi përfunduar të gjitha procedurat, pagesat për të gjitha pronat që përfshihen në këtë proces, është kryer komplet procesi i shpronësimit, ndërkaq kontraktori ka pasur për obligim që t’i rrisë kapacitetet dhe projekti është dashur të përfundojë në prill 2023. Gjatë vitit nuk janë zhvilluar punimet me ritmin që janë zotuar kontraktorët. Nuk kishin arsye për shkak se e kishin frontin e hapur dhe krejt çka duhej të bëhej aty duhej të rriteshin kapacitetet në mënyrë që të përfundojë projekti. Kanë ardhur disa herë edhe përfaqësuesit e bankave ndërkombëtare dhe kur e kanë parë që ka ngecje e kanë angazhuar një auditor të jashtëm nga Jordania i cili ka ardhur me rekomandime se si duhet të vazhdohet më tutje”, ka thënë Durmishi në KTV.

Sipas tij, deri tani është realizuar vetëm rreth 50 për qind e kontratës.

Ai ka folur edhe për rrugën Prishtinë-Podujevë, për të cilën ka thënë se planifikohet të përfundojë si projekt në fund të vitit 2024.

/Shqip.com